Pensionistët i rikthehen punës, 120 mijë aktivë në treg më 2024, rritje vjetore 46 për qind
INSTAT raportoi se në vitin 2024 rreth 120 mijë persona të moshuar mbi 65 vjeç janë përfshirë në tregun e punës.
Pjesëmarrja e të moshuarve në forcën e punës është fenomen në rritje vitet e fundit.
Në vitin 2024, numri i personave mbi 65 vjeç që ishin aktiv arriti mbi 120.142, me rritje vjetore 46,8% krahasuar me 81.835 persona që ishin pjesë e tregut të punës në vitin 2023.
Grupi i pensionistëve shfaqi dinamizmin më të lartë në tregun e punës gjatë vitit të kaluar. Në kontrast me këtë grup-moshë, për pjesën tjetër të popullsisë pjesëmarrja në tregun e punës ka njohur luhatje më të lehta. Në vitin 2024, numri i përgjithshëm i forcës së punës ka arritur 1.287.099 persona, një rritje modeste krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, në grup-moshat më të reja vihet re një tendencë në rënie. Për shembull, pjesëmarrja e të rinjve 15-24 vjeç ka zbritur nga 112.267 në 110.459, duke sinjalizuar hendekun që po le emigrimi në grup-moshat e reja.
Rritja e pjesëmarrjes së individëve mbi 65 vjeç lidhet me faktorë ekonomikë dhe demografikë. Jetëgjatësia më e lartë dhe përmirësimi i shëndetit kanë bërë që shumë individë të ruajnë kapacitetin për të qenë aktivë edhe pas moshës së pensionit.
Nga ana tjetër niveli i ulët i pensioneve, duket se është faktor themelor. Pensioni mesatar në Shqipëri është rreth 190 euro në qytet shume me i ulët në fshat dhe mbulon vetëm një pjesë të nevojave bazë të jetesës.
Për këtë arsye shumë të moshuar detyrohen të vazhdojnë të punojnë për të përballuar shpenzimet e përditshme dhe për të ruajtur një standard minimal jetese.
Emigrimi i lartë i popullsisë së re ka krijuar boshllëqe në tregun e punës, veçanërisht në sektorët ku kërkohet punë fizike ose e kualifikuar më pak. Për pasojë, një pjesë e punësuarve mbi 65 vjeç po rikthehen ose po zgjasin aktivitetin e tyre profesional për të mbuluar nevojat e tregut.
Ekspertët paralajmërojnë se balanca financiare e skemës së pensioneve do të përkeqësohet, duke kërkuar reforma të thella strukturore, të tilla si diversifikimi i burimeve të financimit dhe stimulimi i skemave private të pensioneve.
Rritja e aktivitetit ekonomik të të moshuarve mban gjallë konsumin dhe rrit bazën e të ardhurave të tatueshme dhe tregu i punës përfiton sidomos në sektorët kur ka mungesë dhe kërkesa për punëtorë është e vazhdueshme. Por nëse vendet e punës mbahen për më gjatë nga individë mbi 65 vjeç, të rinjtë përballen me vështirësi në gjetjen e një vendi i punës duke shtuar presionin për emigrim.